Shtime, 11 korrik 2026- Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ilirida” nga Shtimja u nis sot drejt Festivalit Ndërkombëtar Garues në İnegöl të Turqisë, ku do të përfaqësojë me krenari Republikën e Kosovës përballë ansambleve nga shumë shtete.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Sanije Sadiki, e cila udhëtoi sot së bashku me Ansamblin “Ilirida” për t’i mbështetur nga afër në këtë rrugëtim, vlerësoi punën dhe përkushtimin e artistëve të ansamblit, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të kulturës sonë në skenën ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja e Ansamblit ‘Ilirida’ në një festival të tillë ndërkombëtar është një krenari për Komunën e Shtimes dhe një mundësi e shkëlqyer për promovimin e kulturës dhe traditës sonë. Ju uroj suksese dhe një përfaqësim dinjitoz të Kosovës”, tha drrjtoresha Sadiku.
Ndërsa, drejtori i ansamblit, Besnik Brahimi, tha se artistët janë përgatitur me shumë përkushtim dhe janë të gatshëm të prezantojnë denjësisht vlerat e folklorit shqiptar në këtë festival garues. “Me shumë krenari dhe përgjegjësi, së bashku me artistët tanë do të përfaqësojmë Republikën e Kosovës në festivalin garues në İnegöl të Turqisë. Na priftë e mbara në këtë rrugëtim dhe urojmë të kthehemi me suksese”, tha Brahimi.
Pjesëmarrja e Ansamblit “Ilirida” në këtë festival është mbështetur nga Komuna e Shtimes dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
#Kosova#Shtime#Inegol#Turkey#Festival#Folklore#Culture#AnsambliIlirida#ProudToRepresentKosovo