Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, në emër të Komunës së Shtimes dhe institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nura, me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të arsimit, Skënder Nura.
E nderuara familje Nura,
Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Skënder Nura, një emër i respektuar i arsimit në komunën tonë, i cili ia kushtoi jetën edukimit dhe formimit të brezave të tërë.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia me të cilën e ushtroi misionin e mësimdhënësit në lëndët e kimisë dhe biologjisë e bënë atë një figurë të vlerësuar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë nxënësve dhe duke fituar respektin e kolegëve.
Largimi i tij është humbje për familjen, për arsimin dhe për të gjithë ata që patën privilegjin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Kontributi dhe kujtimi për veprën e tij do të mbeten të gjalla ndër breza.
Në këto momente dhimbjeje, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, me dëshirën që të gjeni forcë dhe kurajë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Skënder Nurën!
Dr. Qemajl Aliu
Kryetar i Komunës së Shtimes