Shtime, 7 gusht 2026- Oda Ekonomike e Kosovës dhe Caritas Switzerland, në bashkëpunim me komunat e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, organizuan sot takimin B2B Kosovë-Diasporë, me qëllim të krijimit të partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi. Takimi kishte për synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme biznesore.
Me këtë rast, nënkryetari Adnan Ademi tha se ky takim synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës, duke hapur rrugë për investime dhe zhvillim të përbashkët ekonomik.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u shpreh se diaspora shqiptare mbetet një faktor kyç në promovimin dhe depërtimin e produkteve vendore në tregjet e Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit u prezantua edhe platforma e re e Odës Ekonomike të Kosovës, e cila u mundëson bizneseve dhe afaristëve nga diaspora të regjistrohen, të krijojnë lidhje bashkëpunimi me kompanitë vendore dhe të zhvillojnë projekte të përbashkëta.