Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, në emër të Komunës së Shtimes dhe institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Qorrolli, me rastin e ndarjes nga jeta të mësueses së dalluar dhe veteranes së arsimit, Remezije Qorrolli.
E nderuara familje Qorrolli,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mësueses së dalluar dhe veteranes së arsimit, Remezije Qorrolli, një grua e përkushtuar që për 43 vjet me radhë ia kushtoi jetën arsimit, edukimit dhe formimit të brezave të tërë.
Me dashuri, përkushtim dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, ajo u shërbeu nxënësve dhe arsimit në trevën tonë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe kujtime të paharrueshme te shumë gjenerata.
Puna dhe përkushtimi i saj ndër vite u vlerësuan nga nxënësit, prindërit, kolegët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.
Me pensionimin e saj me 7 gusht 2011, ajo përmbylli një kapitull të gjatë e të lavdishëm të jetës së saj profesionale, por gjurmët që la në zemrat dhe jetën e nxënësve të saj nuk u mbyllën kurrë.
Sot, me largimin e saj nga kjo jetë, humbim një mësuese të dashur, një edukatore të përkushtuar dhe një figurë të çmuar të arsimit.
Në këto çaste, familjes Qorrolli, të afërmve, kolegëve dhe ish-nxënësve të saj u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Le të mbetet kujtimi për Remezije Qorrollin i përjetshëm, ndërsa vepra e saj të jetojë përmes brezave që ajo edukoi dhe arsimoi.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për mësuesen Remezije Qorrolli!
Dr. Qemajl Aliu
Kryetar i Komunës së Shtimes