Shtime, 23 shtator 2026- Pas 46 vitesh në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve, u pensionua sot infermierja Kadrije Sadiku.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime u organizua një ceremoni në shenjë mirënjohjeje për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e saj ndër vite.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, drejtues të institucioneve shëndetësore, kolegë dhe bashkëpunëtorë, të cilët vlerësuan kontributin e saj të gjatë në shërbim të pacientëve.
Për kontributin e infermieres Sadiku folën kryetari Aliu, drejtoresha e DSHMS-së, Mimoza Salihu, u.d. drejtori i QKMF-së, dr. Ilaz Kadrijaj, si dhe kryeinfermierja e QKMF-së, inf. Mervete Hasani.
“Mirënjohje dhe respekt për infermieren tonë të dalluar, Kadrije Sadiku!
Pas plot 46 vitesh shërbim e kontribut të jashtëzakonshëm, sot shënuam pensionimin e një profesionisteje të mjekësisë familjare në komunën tonë.
Për mua personalisht, ky moment mbart një emocion të veçantë kolegial. Çdoherë është kënaqësi të kthehem në shtëpinë time të dytë, aty ku jam formuar e maturuar si mjek pranë profesionistëve të tillë të shkëlqyer, me të cilët pata fatin të ndaj të njëjtin ambient pune.
I urojmë znj. Kadrije Sadiku shëndet të plotë në këtë fazë të re të jetës dhe ditë të bardha pranë familjes. Puna dhe përkushtimi i saj i palodhshëm kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe do të shërbejnë si motivim për gjeneratat e reja të mantelbardhëve”, tha kryetari Aliu.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të spikatur profesional, humanizmin dhe kujdesin e veçantë ndaj pacientëve në QKMF “Dr. Vezir Bajrami”, kryetari Aliu, infermieres Kadrije Sadiku i ndau mirënjohje.
Edhe kolektivi i QKMF-së i shprehu falënderim të përzemërt për 46 vitet e punës dhe përkushtimit, duke i uruar shëndet, lumturi dhe shumë vite të bukura në kapitullin e ri të jetës.