Shtime, 16 nëntor 2026- Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, mori pjesë sot në Gjilan në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” në Ferizaj.
Gjatë kësaj ceremonie u ritheksua përkushtimi institucional për mbrojtjen e personave që përballen me dhunën në familje, si dhe rëndësia e qendrave të tilla, të cilat ofrojnë strehim, siguri dhe mbështetje për gratë dhe fëmijët në situata të vështira. Po ashtu, u vlerësua puna dhe përkushtimi i stafit të këtyre qendrave, si dhe bashkëpunimi me OSBE-në dhe komunat pjesëmarrëse në mbështetjen e shërbimeve të tyre.
Ceremonia u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe mblodhi përfaqësues komunash nga rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt, përfaqësues të institucioneve dhe drejtues të qendrave që ofrojnë strehim dhe përkujdesje për gratë dhe fëmijët.
Në hapje të ceremonisë fjalë rasti mbajtën shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, si dhe udhëheqësja e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Artë Ademi-Bajrami.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e memorandumeve në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e qendrave “Liria” në Gjilan dhe “Shtëpia Ime” në Ferizaj, si dhe për rolin e komunave në mbështetjen e vazhdueshme të këtyre shërbimeve, me qëllim të garantimit të mbrojtjes dhe përkujdesjes për personat që kanë nevojë për mbështetje.