Shtime, 1 qershor 2025- Përmes një sërë aktivitetesh të organizuara nga Komuna e Shtimes, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me OJQ Bashkimit Rinor për Bashkëveprim, në sheshin e qytetit “Ahmet Shtimja” në Shtime u shënua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.
Atmosfera festive, ngjyrat e shumta, lodrat dhe muzika krijuan një ambient të veçantë për fëmijët e shumtë që kishin ardhur të festojnë ditën e tyre.
E pranishme ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Albana Fazliu, e cila përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve dhe organizimit të aktiviteteve të tilla që promovojnë gëzimin, krijimtarinë dhe zhvillimin e tyre.
Në këtë ngjarje u mbajtën lojëra të ndryshme, pikturim fytyrash, vallëzime dhe aktivitete argëtuese që i dhanë ngjyrë dhe gjallëri sheshit.
Fëmijët u kënaqën pafund në këtë festë të organizuar me dashuri dhe përkushtim.