Shtime, 6 mars 2026- Të prirë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, bëri homazhe dhe vendosën kurora lulesh në Kompleksi Memorial në Prekaz, me rastin e 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Homazhe në Prekaz kryetari Aliu bëri edhe me bashkëpunëtorët e tij nga ekzekutivi komunal dhe përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së.
“28 vjet më parë, një familje e vetme bëri histori për sa të jetë jeta. Jasharajt i dolën përballë Serbisë dhe për tri ditë e tri net rezistuan heroikisht përballë artilerisë së rëndë të saj. Lufta e UÇK-së është pjesa më e ndritur e historisë sonë, ndërsa vetë Kryekomandanti Adem Jashari dhe familja e tij mbeten fanarët më të shndritshëm të asaj periudhe”, tha kryetari Aliu.
Po ashtu, në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, kryetari Aliu, së bashku me nënkryetarin, Adnan Ademi, kabinetin qeverisës, përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së dhe qytetarë, bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Reçak dhe Mollopolc, duke vendosur kurora lulesh.