Shtime, 7 mars 2026 – Në Malet e Sharrit, në Brezovicë, është duke u zhvilluar programi “Drejt Malit”, ku nga Komuna e Shtimes po marrin pjesë 30 nxënës, të cilët do të mësojnë teknikat e skijimit.
Ky program ka për qëllim të mbështesë dhe të promovojë zhvillimin e sportit shkollor në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë nxënës të klasave të gjashta dhe të shtata nga niveli i arsimit të mesëm të ulët, të cilët po përjetojnë një eksperiencë të veçantë edukative dhe sportive në një nga zonat më të bukura malore të vendit.
Gjatë qëndrimit në Brezovicë, nxënësit përveç që po mësojnë bazat e skijimit dhe po zhvillojnë aftësitë e tyre në këtë sport dimëror, po kalojnë kohë të vlefshme edhe në natyrë. Ata po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme rekreative dhe edukative jashtë kurrikulare, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e tyre fizik, social dhe emocional.
Ky program u jep mundësi nxënësve të përjetojnë bashkëpunimin, shoqërinë dhe rëndësinë e një stili të shëndetshëm të jetesës përmes aktivitetit fizik.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, theksoi se ky program përfaqëson një angazhim të përbashkët institucional për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, si dhe për të nxitur edukimin joformal përmes sportit dhe aktiviteteve fizike. Sipas tij, programe të tilla janë shumë të rëndësishme sepse ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e shprehive të shëndetshme tek nxënësit dhe në rritjen e interesimit të tyre për sportin.
“Përmes aktivitetit ‘Drejt Malit’ po bëhet e mundur lidhja e ngushtë ndërmjet arsimit dhe sportit, si dhe ndërmjet sportit dhe shëndetit. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i motivuar të rinjtë që të jenë aktivë fizikisht dhe të kalojnë më shumë kohë në natyrë”, shtoi ai.
Komuna e Shtimes në këtë program po përfaqësohet nga nxënës të ShMU “Emin Duraku” nga Shtimja dhe ShFMU “Hasan Prishtina” nga Godanci. Nxënësit janë duke marrë pjesë në këtë aktivitet nën udhëheqjen dhe përkujdesjen e mësimdhënësve Shpresim Mahmuti dhe Nehat Rashiti, të cilët po kontribuojnë në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Brezovicë.
Realizimi i programit “Drejt Malit” po bëhet në partneritet të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Sportit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin e Prishtinës dhe Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës. Ky bashkëpunim institucional synon të krijojë mundësi më të mëdha për përfshirjen e nxënësve në aktivitete sportive dhe edukative që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tyre të gjithanshëm.
Përmes këtij programi, nxënësit jo vetëm që po fitojnë përvoja të reja sportive, por po krijojnë edhe kujtime të bukura, miqësi të reja dhe po mësojnë rëndësinë e jetesës aktive dhe të shëndetshme.