Shtime, 19 janar 2026- Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, dhe në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Shtime, Komuna e Shtimes sot, në Shtëpinë e Kulturës, organizoi Akademi Përkujtimore me rastin e 27 vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ahmet Kaçiku, dhe dëshmorëve të lirisë të rënë në Reçak, në mbrojtje të banorëve dhe trupave të viktimave të Masakrës së Reçakut.
Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, Baki Rashiti, kryetar i OVL-Dega në Shtime, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, veteranë, invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe qytetarë të.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, tha se sot po përkujtohet Komandanti i Brigadës 161 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroi i Kombit Ahmet Kaçiku, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, të cilët ranë në altarin e lirisë në mbrojtje të banorëve dhe trupave të viktimave të Masakrës së Reçakut.
“Përmes kujtimit të dëshmorëve të lirisë, ne ruajmë krenarinë dhe lavdinë e të gjithë atyre që me jetën dhe veprën e tyre nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit tonë. Kemi obligim që sakrifica, trimëria dhe gjaku i Dëshmorëve dhe Martirëve të mos bien kurrë në harresë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore për liri, ndërsa madhështia e saj u ndërtua mbi veprën e heronjve si Ahmet Kaçiku dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët u bënë gurthemeli i lirisë sonë. Nderimi më i madh për dëshmorët është ecja në rrugën e idealit të tyre”, tha Ademi.
Nga ana tjetër, ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, kujtoi momentet e rënda të luftës, kur së bashku me bashkëluftëtarët e tij iu dolën në mbrojtje banorëve të Reçakut dhe trupave të të masakruarve.
Ndërkaq, Xhavit Jashari, kryetar i Shqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se kujtimi për veprimtarët, atdhetarët dhe luftëtarët e lirisë do të mbetet i përhershëm, si dëshmi e sakrificës që solli ditët e lirisë që sot i gëzojmë.
Në përmbyllje të akademisë përkujtimor, Shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Shtime, u ndanë mirënjohje, kompanisë së Reçakut, ku komandant i kësaj kompanie ishte Afet Bilalli-Komandat Çopa, njësive e tjera të UÇK-së që ndërhynë dhe iu dolën në ndihmë luftëtarëve të Zonës Operative të Nerodimes gjatë betejës së reçakut nga 15 deri më 19 janar, si dhe familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe familjeve të martirëve në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin, sakrificën e treguar gjatë luftës për liri.
Po ashtu, në 27 vjetorin e rënies së Heroit të Kombit Ahmet Kaçiku dhe bashkëluftëtarëve të tij, nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, së bashku me bashkëpunëtorë, përfaqësues të shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së dega në Shtime, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj.