Shtime, 13 korrik 2025- Me ftesë zyrtare nga drejtori i Ansamblit “Ilirida”, z. Besnik Brahimi, një delegacion nga Komuna e Shtimes, i përbërë nga Kryetari Dr.Qemajl Aliu, Nënkryetari Faruk Beqa dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Albana Fazliu, po qëndron në Denizli të Turqisë, ku po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Valleve Popullore.
Në këtë festival prestigjioz, që mbledh 23 ansamble nga mbarë bota me mbi 720 pjesëmarrës, edhe Ansambli “Ilirida” nga Shtimja, i ftuar nga Komuna Denizli, po përfaqëson me dinjitet dhe profesionalizëm Kosovën, duke promovuar me pasion dhe dashuri kulturën tonë kombëtare.
Kryetari Aliu, duke ndjekur nga afër paraqitjen e ansamblit, tha se është jashtëzakonisht krenar për këtë brez të ri që me talent, përkushtim dhe dashuri për traditën, po e ngrit emrin e Shtimes dhe të Kosovës në nivel ndërkombëtar.
“Me kënaqësi dhe krenari po marrim pjesë për ta ndjekur nga afër këtë festival të jashtëzakonshëm dhe për të përjetuar emocionet që sjell paraqitja madhështore e ansamblit tonë. Paraqitje të tilla janë motivim për përkrahje edhe më të madhe në të ardhmen”, tha kryetari Aliu.
Pjesëmarrja e “Iliridës” në këtë ngjarje ndërkombëtare është një tregues i qartë i potencialit kulturor të rinjve tanë dhe dëshmi e përkushtimit të Komunës së Shtimes për ta mbështetur dhe promovuar trashëgiminë kulturore.