Shtime, 11 qershor 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, nënkryetari Faruk Beqa dhe shefaj e kabinetit Anita Kurti, pritën sot në takim shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, së bashku me ekipin e saj, për të diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në funksion të përmirësimit të të drejtave të fëmijëve në komunën tonë.
Diskutimet u fokusuan në zgjerimin e qasjes në edukimin parashkollor, fuqizimin e iniciativave për të rinjtë, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe familjet.
“Përkushtimi ynë për të krijuar një mjedis të sigurt dhe zhvillues për çdo fëmijë në komunën tonë është i palëkundur. Partneritetet si ai me UNICEF-in na japin forcë dhe vizion për të ecur përpara”, tha kryetari Aliu.
Menjëherë pas takimit, përfaqësuesit e UNICEF-it, së bashku me nënkryetarin Beqa morën pjesë edhe në një aktivitet të prindërimit të mirë të organizuar në Çerdhen “Albiona Asllani”, i cili është mbështetur nga vetë UNICEF-i.
“Puna me organizata ndërkombëtare na ndihmon të fuqizojmë kapacitetet tona dhe të sjellim ndryshime të prekshme në jetën e fëmijëve tanë”, tha nënkryetari Beqa.