Shtime, 3 qershor 2025- Pas një periudhe të gjatë jashtë funksionit, çerdhja e fëmijëve “Albiona Asllani” në Komunën e Shtimes është rifunksionalizuar dhe tashmë është e gatshme të mirëpresë 40 fëmijë në ambiente tërësisht të rinovuara dhe me standarde të larta për edukim dhe përkujdesje.
Gjatë ceremonisë së përurimit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi këtë projekt si një shprehje të qartë të përkushtimit të përbashkët për të ardhmen e fëmijëve:
“Puna jonë fillon nga themeli, nëse fëmijët fitojnë, fiton edhe e ardhmja. Kjo çerdhe le të jetë mbizotërim i dashurisë. Komuna e Shtimes është bërë vatër e lajmeve të mira. Sa herë ftohem këtu e di se për një projekt të mirë, ose që fillon, ose që është duke u realizuar. Qoftë kjo çerdhe për mbizotërimin e dashurisë”, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, shprehu mirënjohje për mbështetjen institucionale për ndërtimin e çerdheve në këtë komunë:
“Çerdhja ‘Albiona Asllani’, të cilën me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren Arbërie Nagavci e përuruam është gati! Ajo është renovuar tërësisht dhe është rifunksionalizuar për të mirëpritur 40 fëmijë me përkujdesje dhe edukim cilësor. Ky është çerdhja e tretë në komunën tonë, nga gjithsej pesë që do t’i kemi brenda pak muajsh dhe ky është një tejkalim i zotimit tonë për ndërtimin e tyre”, tha kryetari Aliu.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e konsideroi rifunksionalizimin e kësaj çerdheje si një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve në arsimin e hershëm:
“Është një ditë e bukur dhe e veçantë për të shënuar një mundësi më shumë për fëmijët e Komunës së Shtimes. Për më shumë se katër vjet ka qenë i pashfrytëzuar dhe tani është rifunksionalizuar. Kemi tri çerdhe të përfunduara në këtë vit shkollor, ndërsa edhe dy janë në përfundim”, tha Nagavci.
Me një investim prej 130 mijë eurosh, çerdhja “Albiona Asllani” rikthehet në funksion si një hap i rëndësishëm drejt përkujdesjes dhe edukimit cilësor për fëmijët e Shtimes.