Shtime, 18 qershor 2025 – Procesi i hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026-2028 ka vazhduar me mbajtjen e dëgjimeve publike në fshatrat Gjurkovc dhe Vojnovc.
Takimet u zhvilluan në ambientet e shkollave fillore të këtyre fshatrave, ku banorët patën mundësinë të paraqesin kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e tyre, duke u fokusuar në çështje si infrastruktura rrugore, përmirësimi i kushteve në arsim dhe rritja e cilësisë së shërbimeve publike.
Në dëgjime morën pjesë edhe Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, bashkë me kryesuesin e Kuvendit, Adnan Ademi, si dhe drejtorët komunalë, Grejtalb Emini e Bardhyl Rushiti, zyrtarja Gentiana Mehmeti, si dhe asambleistët Besnik Seferi e Sanie Sadiku.
Dëgjimet publike do të vazhdojnë nesër, më 19 qershor, në sallën e Kuvendit Komunal me këtë agjendë:
16:00, Takimi me organizatat
17:00, Takimi me partitë politike
18:00, Takimi me qytetarët e Shtimes
Ndërkohë, po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, dëgjimet do të zhvendosen në fshatin Carralevë, ku takimi me banorët do të mbahet në shkollën fillore “Avdullah Shabani”.