Shtime 11 qershor 2025- Procesi i dëgjimeve publike me qytetarë për hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2026-2028 ka vazhduar sot në fshatrat Belinc dhe Reçak.
Në këto takime morën pjesë Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, Kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, Drejtori për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini, si dhe asambleistët Besnik Seferi dhe Artan Lubofci.
Dëgjimi në fshatin Belinc u mbajt në ambientet e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, ndërsa ai në fshatin Reçak në Shkollën Fillore “Skënderbeu”, ku qytetarët patën mundësi të paraqesin kërkesat e tyre lidhur me infrastrukturën, arsimin, shërbimet publike dhe çështje të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme.
Komuna e Shtimes njofton se nesër (e mërkurë) nuk do të mbahen dëgjime publike për shkak të shënimit të Ditës së Çlirimit të Komunës së Shtimes. Dëgjimet do të vazhdojnë pasnesër (e premte) në fshatin Petrovë nga ora 17:30 dhe në fshatin Mollopolc nga ora 19:30, në shkollat përkatëse të këtyre fshatrave.