Shtime, 16 qershor 2025- Procesi i konsultimeve me qytetarët për hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026-2028 ka vijuar në fshatrat Davidovc dhe Rashincë.
Në dëgjimet publike ishin të pranishëm, Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, Drejtori për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini, Drejtori i Shërbimeve Publike, Bardhyl Rushiti, si dhe asambleistët Sanie Sadiku dhe Besnik Seferi.
Takimet u mbajtën në ambientet e shkollave fillore të këtyre fshatrave, ku banorët patën mundësinë të shprehin idetë, nevojat dhe prioritetet e tyre për zhvillim. Ata adresuan kërkesa që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës, investimet në arsim e shërbimet publike.
Dëgjimet do të vazhdojnë më 17 qershor në fshatrat Muzeqinë nga ora 17:30 dhe Gllavicë, 19:30, në ambientet e shkollave të këtyre fshatrave.