Shtime, 6 mars 2026- Institucionet arsimore në Komunën e Shtimes kanë shënuar sot me aktivitete të ndryshme 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Me këtë rast, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) organizoi një ceremoni festive kushtuar kësaj dite të rëndësishme për arsimin dhe për të gjithë mësimdhënësit.
Në këtë manifestim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes,dr. Qemajl Aliu, i cili shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Ai theksoi se profesioni i mësuesit është ndër profesionet më të nderuara dhe më të respektuara në shoqëri.
“Sot nderojmë një nga profesionet më fisnike. Jo secili mund ta kryejë një detyrë kaq të rëndësishme sa ajo e mësuesit. Kujtojmë edhe kohët e vështira të ushtrimit të këtij profesioni, kur breza të tërë mësimdhënësish u sakrifikuan për arsimimin dhe dijen e popullit shqiptar. Ishte përkushtimi i këtyre doajenëve që, me dije dhe karakter, formuan breza të tërë të përgatitur. Mirënjohje dhe nderim i përhershëm për mësuesit tanë, të cilët janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja”, tha kryetari Aliu.
Të pranishmit i përshëndeti edhe udhëheqësi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes Lulzim Sahiti, i cili falënderoi të gjithë mësimdhënësit për përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në zhvillimin e shoqërisë.
Me rastin e Ditës së Mësuesit, Drejtoria Komunale e Arsimit ndau mirënjohje për veteranët e arsimit, për mësimdhënësit e dalluar, si dhe mirënjohje post-mortem për ata që me jetën dhe veprën e tyre i dhanë dritë dhe jetë shkollës shqipe në Komunën e Shtimes.