Shtime, 8 tetor 2025- Është përuruar sot rruga që lidh Zonën e Dytë Ekonomike të fshatit Gllavicë me rrugën magjistrale Shtime-Ferizaj. Ky investim, me vlerë mbi 600 mijë euro, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunës tonë.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tha se kjo rrugë është një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të zonës ekonomike.
“Kjo rrugë lidh zonën ekonomike të Gllavicës me magjistralen Shtime-Ferizaj. Është një investim modern, me gjerësi 7 metra, kanale kulluese, kanalizim atmosferik, trotuar dhe ndriçim publik, me të gjitha standardet e nevojshme për një infrastrukturë bashkëkohore”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se kjo rrugë është vetëm një pjesë e investimeve të shumta në këtë zonë.
“Përveç kësaj rruge, kemi investuar afro gjysmë milioni euro të tjera në Zonën Ekonomike. Synimi ynë është që në pranverën e ardhshme të fillojmë funksionalizimin dhe vendosjen e bizneseve, që do të sjellin zhvillim të qëndrueshëm për Shtimen dhe më gjerë”, tha kryetari Aliu.
Zona Ekonomike e Gllavicës shtrihet në rreth 37 hektarë, dhe pritet të bëhet një nga zonat më të mëdha dhe më të rëndësishme industriale në rajon.