Shtime, 11 korrik 2025- Një projekt human dhe i rëndësishëm po realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Komunës së Shtimes dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, të udhëhequr nga humanisti Halil Kastrati, ku në këtë fazë kanë nisur punimet për pesë shtëpi, ndërsa edhe pesë të tjera pritet të fillojnë gjatë javës së ardhshme.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, së bashku me humanistin Halil Kastrati vizituan familjet përfituese dhe i përgëzuan për fillimin e punimeve për ndërtimin e shtëpive të tyre të reja.
“Sot ishim të pranishëm në një prej atyre momenteve më emocionuese, ku njoftuam 5 familjet në nevojë për fillimin e punimeve për ndërtimin e shtëpive të reja. Ky projekt është fryt i bashkëpunimit të sinqertë me bamirësin e nderuar Halil Kastrati, me të cilin, përmes këtyre shtëpive, po ndërtohet edhe shpresë, ëndrra të reja, lumturi e harmoni për qytetarët tanë”, tha kryetari Aliu.
Nga ana e tij, humanisti Halil Kastrati tha se së bashku me kryatrin Aliu, i vizituan këto familje dhe me shumë emocion ua kumtuan lajmin që ndryshon jetën
“Sot ishim në Komunën e Shtimes, ku gëzuam 5 familje me lajmin e madh, po bëhen me shtëpi të reja! I gjetëm këto familje në kushte të rënda dhe me sprova të shumta në jetë. Falë memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Shtimes, nisëm ndërtimin e shtëpive të tyre të reja. Bashkë me kryetarin Qemajl Aliu, i vizituam këto familje dhe me shumë emocion ua kumtuam lajmin që ndryshon jetën. Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!”, tha Kastrati.
E pranishme ishte edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, e cila shprehu përkrahjen institucionale për familjet përfituese dhe falënderoi të gjithë ata që po kontribuojnë në ndërtimin e një jete më të mirë për qytetarët në nevojë.