Shtime, 30 maj 2025- Me një atmosferë të mbushur me gëzim dhe aktivitete të shumta, sot në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të komunës së Shtimes u shënua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vizitoi Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani” si dhe parafillorët e shkollës “Lasgush Poradeci” në fshatin Muzeqinë.
Me këtë rast, kryetari Aliu ndau dhurata për fëmijët, si shenjë kujdesi dhe dashurie në këtë ditë të rëndësishme.
“Çdo fëmijë meriton një fëmijëri të lumtur dhe përkrahje të pandërprerë, kjo nuk është vetëm detyrë për 1 Qershorin, por përgjegjësi për çdo ditë të vitit”, tha kryetari Aliu.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryesuesi i Kuvendit të Shtimes, Adnan Ademi, si dhe udhëheqësi i sektorit të arsimit, Lulzim Sahiti, të cilët gjithashtu ndanë momente të veçanta me fëmijët dhe përgëzuan stafin edukativ për organizimin shembullor të kësaj dite festiVE.
Përveç këtyre vizitave, Komuna e Shtimes përmes Drejtorisë së Arsimit ka shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët parafillorë në shkollat e komunës, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin për një arsim dhe kujdes cilësor që në hapat e parë të jetës.
Po ashtu për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Drejtoria për Kulturë, Rini e Spot e Komunës së Shtimes, nesër do të vazhdojë me aktivitete të tjera në sheshin e qytetit, si dhe me një shfaqje për fëmijë që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës.