Shtime, 2 prill 2025- Ka filluar sot puna për hartimin e raportit të gjendjes ekzistuese të Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.
Me këtë rast, drejtori i AMMKM-së, Imer Hakaj, së bashku me Merita Agustini Nrecaj, kryesuese dhe Adem Ramadani në cilësinë e kryetarit të fshatit e Arben Deliun, si anëtarë të grupit punues të caktuar me vendimin e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku, më 15.01.2024, realizuan një vizitë në këtë kompleks.
Gjatë kësaj vizite, operatori ekonomik ka nisur punimet për përpilimin e raportit, i cili do të shërbejë si bazë për zhvillimet e mëtejshme të projektit. Ky hap përfaqëson një moment kyç në procesin e trajtimit dhe vlerësimit të këtij memoriali, duke synuar dokumentimin e detajuar të gjendjes së tij aktuale.
Si një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe historike, ky angazhim synon të ruajë, dokumentojë dhe të përforcojë kujtesën kolektive për Masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë shqiptare për të cilin institucionet përgjegjëse do të vijojnë përkushtimin e tyre për realizimin e suksesshëm të këtij procesi.