Shtime, 12 nëntor 2025- Në gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime kanë filluar punimet për renovimin e plotë të objektit shkollor. Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar nga afër punimet që janë duke u zhvilluar në këtë institucion arsimor.
“Kjo ndërhyrje me vlerë mbi 800 mijë euro do të mundësojë kushte më bashkëkohore për mësimdhënie dhe mësimnxënie për të gjithë nxënësit dhe profesorët e kësaj shkolle”, tha kryetari Aliu gjatë vizitës.
Sipas planit të projektit, ndërhyrjet përfshijnë pothuajse të gjitha hapësirat e shkollës, sallën e edukatës fizike, klasat, hollin e brendshëm, instalimet elektrike, nyjet sanitare, si dhe oborrin dhe hapësirat e jashtme.
Ky investim, që kap vlerën mbi 800 mijë euro, do të transformojë tërësisht gjimnazin “Naim Frashëri”, duke i dhënë një pamje të re moderne dhe duke krijuar kushte shumë më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe aktiviteteve shkollore për rreth 500 nxënës që ndjekin mësimet në këtë institucion.











