Shtime, 28 nëntor 2025- Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë të Dëshmorëve, përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të Policisë së Kosovës, institucioneve komunale si dhe qytetarë të shumtë, bënë homazhe dhe vendosën buqeta lulesh në pika përkujtimore në komunën tonë.
Ceremonia e nderimit filloi te shtatorja e Komandantit legjendar Adem Jashari, për të vazhduar në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, si dhe në Reçak, Mollopolc, Rancë dhe Carralevë, duke përkujtuar me respekt dhe mirënjohje sakrificën e secilit dëshmor të kombit.
“28 Nëntori është festa jonë e përbashkimit. Është ngjarja që nga e kaluara e lavdishme na fton për ta bërë të ardhmen e kombit tonë të ndritshme.
Në ditëlindjen e tij nderojmë me përulësi figurën madhështore të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë në skenë të UÇK-së, që dëshmorët që nderuam sot mbanin me krenari këto tri shkronja dhe këtë emblemë të lavdishme.
Nderime e lavdi të përjetshme të gjithë dëshmorëve tanë, që janë më meritorët që ne e festojmë këtë ditë! Rroftë kombi shqiptar”, tha kryetari Aliu.