Shtime, 12 Qershor 2025- Sot, më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit të Komunës së Shtimes, u mbajtën aktivitete përkujtimore për të nderuar gjakun e derdhur për liri dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me nënkryetarin Faruk Beqa, kryesuesin e Kuvendit, Adnan Ademi, kabinetin qeverisës, komandantin e stacionit policor në Shtime, Haxhi Behluli, ish kryetarin e komunës Fatmir Rashiti, kryeimamin e KBI në Shtime, Bunjamin Emini, përfaqësues të institucioneve tjera, zyrtarë komunalë dhe qytetarë të shumtë, bënë homazhe dhe vendosën buqeta lulesh në vendet simbolike të kujtesës historike.
Homazhet filluan te shtatorja e Komandantit Legjendar “Adem Jashari” në qytetin e Shtimes, ku u përulën me respekt për figurën emblematike të luftës për liri. Më pas, homazhet vazhduan në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, si dhe në Reçak, Mollopolc, Rancë dhe Carralevë, vende këto që mbajnë peshën e dhimbjes, por edhe krenarinë për rezistencën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.