Shtime, 15 janar 2026-Në përkujtim të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, krerët shtetërorë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë nga e gjithë Kosova u mblodhën në Kompleksin Memorial në Reçak për të nderuar viktimat e kësaj ngjarjeje e cila tronditi opinionin botëror dhe mobilizoi bashkësinë ndërkombëtare për ndërhyrje.
Në homazhe morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, figura që dëshmoi dhe raportoi masakrën në opinionin ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe shumë qytetarë.
Pas homazheve, Presidentja Osmani tha se dhimbja për Masakrën e Reçakut mbetet e freskët edhe pas 27 vitesh, ndërsa Serbia ende nuk është ndëshkuar për këtë dhe krime të tjera të kryera në Kosovë. Ajo shtoi se politika dhe mendësia e njëjtë vazhdojnë ende, duke përfshirë edhe mohimin e Masakrës së Reçakut.
“Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është po aq e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, theksoi se pa ndëshkimin e të gjithë atyre që kryen krime ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, nuk mund të ketë paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon.
“Më 15 janar të atij viti, mediat u pushtuan nga lajmet për një tmerr që ndodhi pikërisht në këtë vend dhe njëkohësisht u shfaq një fytyrë barbare me tendenca gjenocidale të Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptar. Reçaku për ne mbetet plagë e hapur, sepse ende nuk ka drejtësi. Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një punë të mirë për intervenimin e saj, por jo edhe për sjelljen e autorëve para drejtësisë. Ne, si institucione, nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, sepse besojmë thellë se pa drejtësi për viktimat e Reçakut dhe gjithandej Kosovës do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të ketë paqe dhe siguri në rajon”, tha Basha.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet që Serbia ka kryer ndaj popullit shqiptar dhe se kriminelët duhet të dalin para drejtësisë.
“Para 27 vjetësh, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker, u bë e ditur e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua, u vetëdijesua dhe u mobilizua edhe opinioni publik ndërkombëtar, si dhe kancelaritë diplomatike perëndimore. Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, tha Kryeministri Kurti.
Homazhe u zhvilluan edhe në varrezat e dëshmorëve në Shtime, në Mollopolc, ku Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, së bashku me nënkryetarin Adnan Ademi, përfaqësues të institucioneve, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, vendosën kurora lulesh mbi varret e dëshmorëve.
Me këtë rast, Aliu tha se sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të kombit përbën themelin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke nënvizuar se ruajtja e kujtesës historike dhe e vlerave të luftës është obligim moral dhe institucional. Ai shtoi se vetëm duke mos harruar të kaluarën dhe duke nderuar të rënët, ndërtohet një e ardhme më e drejtë dhe më e sigurt për brezat që vijnë, ndërsa Reçaku mbetet ndërgjegje e përhershme dhe thirrje e vazhdueshme për drejtësi.
Masakra e Reçakut, e ndodhur më 15 janar 1999, mbetet një akt barbar ndaj civilëve të pafajshëm, i cili jo vetëm tronditi ndërgjegjen e botës, por edhe mobilizoi faktorin ndërkombëtar për ndërhyrje në Kosovë, duke sjellë ndryshime historike në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.