Shtime, 29 qershor 2025- Muajin qershor, Komuna e Shtimes po e përmbyll me një lajm të rëndësishëm, që lidhet me respektin dhe kujdesin ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë tonë.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, ka prezantuar projektin madhor për rregullimin dhe revitalizimin e varrezave të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, projekt ky që realizohet falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me një investim prej mbi 500 mijë eurosh.
“Ky projekt i shumëpritur do t’i japë këtij vendi të shenjtë një pamje dinjitoze dhe të denjë për nderimin e atyre që dhanë jetën për liri”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se ky investim është rezultat i angazhimit dhe avokimit të vazhdueshëm të Komunës së Shtimes.
Ky projekt do të përfshijë:
-Krijimin e hapësirave të reja gjelbëruese
– Instalimin e sistemit modern të ujitjes pikë më pikë
– Rregullimin e parkingjeve
Vendosjen e ulësve për vizitorët
– Sigurimin e qasjes më të lehtë dhe të përshtatshme për qytetarët
Në këtë rast, kryetari Aliu shprehu falënderim të veçantë për Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për mbështetjen konkrete dhe për drejtorin e AMMK-së, Imer Hakaj, për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.
“Ky projekt është më shumë se një investim, është një shenjë respekti, kujtimi dhe nderimi për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit”, tha kryetari Aliu, duke bërë të ditur se procedurat e prokurimit do të nisin që brenda javës së ardhshme, ndërsa shumë shpejt do të fillojnë edhe punimet konkrete në terren.