Shtime, 9 shtator 2025- Në shkollën “Hasan Prishtina” të fshatit Godanc, është vendosur gurthemeli për ndërtimin e sallës së re sportive, një projekt i përbashkët i Komunës së Shtimes dhe MASHTI-it, ku moren pjesë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, drejtues institucionesh, veteranë të arsimit, mësimdhënës e qytetarë.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tha se, ky projekt modern do të jetësohet brenda 12 muajve, ku nxënësit do të kenë hapësirë të duhur për të zhvilluar talentet e tyre dhe për të ndërtuar një jetë më të shëndetshme.
“Me emocion shumë të veçantë sot, bashkë me ministren znj. Arbërie Nagavci dhe veteranët e arsimit, nisëm punimet për ndërtimin e sallës së re sportive në njërën prej shkollave më të mëdha të Komunës së Shtimes. Ky projekt modern do të jetësohet brenda 12 muajve, ku nxënësit tanë do të kenë hapësirë të duhur për të zhvilluar talentet e tyre dhe për të ndërtuar një jetë më të shëndetshme. Sporti është faktor i jashtëzakonshëm për afrimin e të rinjve, andaj ky investim iu takon atyre”, tha kryetari Aliu.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se ky projekt është investim i MASHTI-it në vlerë 498,183.31 euro, me sipërfaqe prej 600 m² dhe do t’i shërbejë 380 nxënësve të kësaj shkolle.
“Bashkë me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, vendosëm sot gurthemelin për ndërtimin e sallës së sportit në shkollën ‘Hasan Prishtina’. Ky projekt është investim i MAShTI-it, në vlerë 498,183.31 euro, me sipërfaqe prej 600 m² dhe do t’i shërbejë 380 nxënësve të kësaj shkolle. Vlera totale e investimeve të MAShTI në Shtime gjatë qeverisjes sonë ka arritur në 5,158,449.00 euro, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën arsimore dhe duke krijuar një mjedis të sigurt për zhvillimin e brezave të rinj”, tha ministrja Nagavci.
Salla sportive pritet të përfundojë brenda një viti, ku nxënësit do të kenë hapësirë të duhur për të zhvilluar talentet e tyre dhe për të ndërtuar një jetë më të shëndetshme.