Shtime, 3 maj 2025- Pas shumë vitesh shërbimi të palodhshëm dhe përkushtimi profesional në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime, Isuf Sadiku ka dalë në pension, duke lënë pas vetes një kontribut të çmuar.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vlerësoi lartë kontributin e Isuf Sadikut.
“Isuf Sadiku nuk ishte vetëm një profesionist shembullor, por edhe një njeri i përkushtuar ndaj qytetarëve dhe kolegëve të tij. Kontributi i tij do të mbetet përherë i çmuar për komunën tonë. E falënderojmë për gjithçka që ka dhënë dhe i dëshirojmë shëndet e gëzime në vitet në vijim”, tha kryetari Aliu.
Të pranishëm ishin kolegë të tij të shumtë, miq dhe bashkëpunëtorë, të cilët e falënderuan për punën e tij shumëvjeçare, profesionalizmin dhe humanizmin që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij.
Në fund të ceremonisë, Sadiku u nderua me një dhuratë simbolike në shenjë falënderimi për punën e tij të jashtëzakonshme ndër vite.