Shtime, 15 maj 2025- Në kuadër të planit për promovimin dhe ruajtjen e shëndetit të fëmijëve, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka filluar vizitat sistematike shëndetësore. Aktiviteti ka nisur në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Shtime dhe përfshin fëmijët e grup-moshës parashkollore dhe të klasave të para.
Vizitat realizohen nga një ekip profesional shëndetësor i përbërë nga mjekë dhe infermierë, të cilët kryejnë kontrolla të plota shëndetësore. Ato përfshijnë matjen e peshës dhe gjatësisë, kontrollin e shikimit dhe dëgjimit, vlerësimin psiko-motorik, kontrollin oral sipërfaqësor, këshillimin për higjienën personale dhe orale, si dhe kontrollin e vaksinave sipas kalendarit të imunizimit. Po ashtu, ofrohen rekomandime për ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitete fizike.
Qëllimi kryesor i këtyre vizitave është identifikimi i hershëm i çdo çrregullimi shëndetësor, ofrimi i ndërhyrjeve të menjëhershme dhe edukimi shëndetësor i fëmijëve, familjeve dhe stafit arsimor.
Me këtë iniciativë, synohet të promovohet një zhvillim i shëndetshëm fizik, emocional dhe social i fëmijëve, duke parandaluar përkeqësimin e problemeve të mundshme dhe duke fuqizuar rolin e shkollave në ruajtjen e shëndetit publik.