Shtime, 23 dhjetor 2025- Me rastin e afrimit të 15 janarit-Ditës Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, Këshilli Organizativ ka mbajtur një mbledhje koordinuese me qëllim të planifikimit dhe harmonizimit të aktiviteteve që do të shënojnë këtë ngjarje të rëndë historike.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Këshillit u fokusuan në hartimin e agjendës përkujtimore, duke përcaktuar aktivitetet kryesore që do të zhvillohen.
Programi parashikon homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut, organizimin e akademisë përkujtimore, si dhe aktivitete kulturore dhe edukative, të cilat synojnë ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e së vërtetës te brezat e rinj.
Në fund të takimit, Këshilli Organizativ shprehu përkushtimin për të realizuar një agjendë të mirëorganizuar që nderon viktimat, familjet e tyre dhe luftën për liri të popullit të Kosovës.
Manifestimi “Ditët e Reçakut” organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu.