Shtime, 5 nëntor 2025- Është mbajtur mbledhja e pestë me radhë për këtë vit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa.
Gjatë kësaj mbledhjeje, komandanti i Stacionit Policor në Shtime, Haxhi Behluli, paraqiti informatën lidhur me gjendjen e sigurisë në komunën tonë, të cilën e vlerësoi si të qetë dhe stabile, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, inspektori komunal, Ilir Fejzullahu, raportoi për çështjet e sigurisë ushqimore, duke theksuar se ekipet e inspektoratit janë në vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm të cilësisë ushqimore në bizneset e komunës.
Një ndër temat e tjera të diskutuara ishte edhe identifikimi i hershëm dhe ndërhyrja për parandalimin e radikalizimit, që mund të çojë në ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm.