Shtime, 17 nëntor 2025- Inspektorati Komunal, në bashkëpunim me Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka realizuar inspektime të përbashkëta te gurëthyesit që operojnë në territorin e Komunës së Shtimes, konkretisht në fshatin Caralevë.
Ky veprim institucional u ndërmor pas ankesave të shumta nga banorët e komunës, veçanërisht të zonës përreth, të cilët kanë raportuar shqetësime lidhur me emetimet e larta të pluhurit dhe ndikimin e tyre në mjedis dhe shëndet.
Pas adresimit zyrtar të problemit nga inspektorja komunale e mjedisit, Albulenë Emini, Inspektorati Qendror i MMPHI-së iu përgjigj menjëherë ftesës për koordinim, duke angazhuar ekipet e përbashkëta në terren. Inspektimet po vazhdojnë me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së subjekteve me standardet ligjore mjedisore dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme në rast të shkeljeve të identifikuara.





