Shtime, 23 Prill 2025- Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Oden e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), të përfaqësuar nga Uran Kyçyku. Ky hap shënon fillimin e një partneriteti strategjik në fushën e planifikimit hapësinor, arkitekturës dhe zhvillimit urban të qëndrueshëm në këtë komunë.
Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e një baze solide për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Shtimes dhe OARK-së, duke shfrytëzuar ekspertizën profesionale të Odës dhe vullnetin e komunës për të zbatuar praktikat më të mira në këto fusha jetike.
Sipas marrëveshjes, të dyja palët janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë në hartimin dhe implementimin e politikave dhe projekteve që lidhen me arkitekturën, urbanizmin dhe planifikimin hapësinor. Ky bashkëpunim do të karakterizohet nga transparenca, përfshirja profesionale dhe angazhimi për cilësi të lartë në çdo hap të procesit.
Nënshkrimi i këtij memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët e Komunës së Shtimes.