Shtime, 30 Maj 2025- Komuna e Shtimes, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim dhe me përkrahje nga OSBE-ja, pati kënaqësinë që sot të organizojë aktivitetin “Fushata Vetëdijuese për Punësim për Personat me Aftësi të Kufizuara”.
Aktiviteti filloi në objektin e Komunës së Shtimes, ku pjesëmarrësit, persona me aftësi të kufizuara, u pritën ngrohtësisht nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, nënkryetari Faruk Beqa, si dhe drejtoresha e DSHMS-së, Mimoza Salihu-Qeriqi.
Kryetari Aliu, gjatë këtij takimi theksoi rëndësinë e barazisë në shoqëri, dhe se çdo qytetarë duhet të ndihet i barabartë.
“Komuna e Shtimes mbetet e përkushtuar për të krijuar një ambient gjithëpërfshirës dhe për të ndërtuar ura që i mundësojnë çdo qytetari të ndihet pjesë e barabartë”, tha kryetari Aliu.
Nënkryetari Beqa, tha se janë këtu për t’i dëgjuar dhe për t’i përkrahur, jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra konkrete që nxisin integrimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Pjesëmarrësit më pas morën pjesë në punë praktike për dy orë nëpër departamente të ndryshme të administratës komunale të Shtimes, ku u përfshinë në detyra reale, duke treguar aftësitë dhe potencialin e tyre për të kontribuar në shoqëri.
Edhe drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, tha se këta persona kanë potencial të jashtëzakonshëm, dhe është koha që secili prej nesh të jetë një urë e mundësive për ta.
Pas kësaj eksperience në institucionet komunale, pjesëmarrësit vizituan fabrikën e letrës “Fressia” në Komunën e Lipjanit, një model i mirë i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në punë. Ata u pritën nga drejtori i fabrikës, Endrit Rexhaj, dhe përfaqësues të fondacionit “Golden Eagle”, të cilët ndanë përvojat e tyre pozitive rreth përfshirjes së PAK në staf.
Ky aktivitet kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe institucional për rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, duke promovuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.