Shtime, 30 dhjetor 2025- Me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit, Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, së bashku me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Shtime, Baki Rashiti, familjarë të dëshmorëve, veteranë, përfaqësues institucionalë dhe bashkëpunëtorë, zhvilluan homazhe pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe në varrezat e veteranëve në qytetin tonë.
Pas homazheve, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, organizatorët ndanë mirënjohje post mortem për veteranët e komunës sonë, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar për lirinë e vendit.
Kjo ditë u përmbyll me mesazhe të fuqishme uniteti, mirënjohjeje dhe falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan për atdheun, duke vënë në pah domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave të luftës së lavdishme te brezat e rinj.
Lavdi dhe nderim i përjetshëm për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë tonë!
Urime Dita e Veteranit!