Shtime, 18 shkurt 2026- Me ftesë të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, z. Behar Isma, kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila u mbajt në Düsseldorf, në Gjermania.
Ceremonia, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, mblodhi përfaqësues institucionalë, bashkatdhetarë dhe miq të shumtë të Kosovës, duke krijuar një atmosferë festive dhe dinjitoze në shënim të një prej datave më të rëndësishme të historisë sonë shtetërore.
Me këtë rast, kryetari Aliu theksoi rëndësinë e veçantë që ka kjo festë për qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e diasporës në forcimin e shtetit dhe të lidhjeve ndërkombëtare.
“Është privilegj dhe nder i jashtëzakonshëm që, mes miqsh e bashkatdhetarësh, të jem i ftuar në kremtimin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në Düsseldorf. Me këtë qytet më lidhin shumë kujtime dhe një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tim profesional si mjek, prandaj ishte kënaqësi e veçantë ta festoj këtë përvjetor së bashku me bashkatdhetarët tanë. Ky përvjetor është një moment reflektimi për rrugëtimin tonë të shtetndërtimit dhe për forcimin e lidhjeve me partnerët tanë në Gjermani. Është krenari të shohim se si Republika e Kosovës po vazhdon ta konsolidojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar përmes përfaqësimit dinjitoz të institucioneve tona diplomatike”, tha kryetari Aliu, duke falënderuar organizatorët për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë festive, dhe uroi që Pavarësia e Kosovës të festohet gjithmonë me krenari dhe unitet kombëtar.
