Shtime, 27 tetor 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, mirëpriti dje një delegacion nga Departamenti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë i Universitetit “Epoka” të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga disa profesorë të nderuar dhe 150 studentë.
Takimi u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, ku studentët prezantuan disa nga projektet e tyre akademike, të cilat përfshijnë ide novatore për zhvillimin urban dhe estetik të hapësirave publike.
Pas prezantimeve, kryetari Aliu, së bashku me përfaqësuesit e Universitetit “Epoka” dhe studentët, vizituan disa nga pikat kyçe të Komunës së Shtimes, përfshirë Memorialin e Reçakut, Entin Special, Kodrën e Rinisë, Sheshin qendror dhe shtratin e lumit, me qëllim evidentimin e mundësive të reja për zhvillim urban e social.
“Shpreh mirënjohjen time të veçantë për drejtorin Egin Zeka, profesorin Kreshnik Merxhani, si dhe gjithë ekipin akademik e studentët, për bashkëpunimin, energjinë dhe përkushtimin që po e forcon urën mes dijes dhe praktikës ndërmjet dy shteteve tona”, tha kryetari Dr. Qemajl Aliu.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Shtimes dhe Universitetit “Epoka”, që parasheh angazhimin e ndërsjellë në projekte të përbashkëta për zhvillimin urban, arkitekturor dhe infrastrukturor të komunës.