Shtime, 23 gusht 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, ka pritur në një takim tenisten e re nga komuna jonë, Anesa Ismajli. Me këtë rast, kryetari e uroi për sukseset e arritura dhe e inkurajoi të vazhdojë me përkushtim, duke përfaqësuar me dinjitet komunën në skenën ndërkombëtare të sportit.
“Përfaqësimi i denjë i Anesës në turnetë ndërkombëtare është dëshmi e talentit, disiplinës dhe vlerave të larta sportive që nderojnë komunën tonë dhe frymëzojnë gjeneratat e reja”, tha kryetari Aliu.
Në shenjë vlerësimi për këto arritje, kryetari Aliu i ndau Anesa Ismajlit një mirënjohje të veçantë, e gjithashtu njoftoi se së shpejti në Shtime do të fillojë ndërtimi i dy fushave të tenisit, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke krijuar kështu kushte edhe më të mira për zhvillimin e këtij sporti në komunën tonë.
Gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar vitit, Anesa ka shënuar suksese të shumta, ndër to, duke u shpallur kampione në disa turne kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është fituese e “Gjakova Juniors” dhe “Top Reklama Juniors”, kampione e “Masters 2024”-U12, si dhe fituese e Kampionatit Shtetëror-U12.
Gjithashtu, Anesa ka arritur rezultate të larta në turnetë ndërkombëtare si “Shkodra Open”, “MTP Open” dhe “NSP Open” në Tiranë.
Për më tepër, është përzgjedhur ndër 12 bursistët e “Tennis Foundation-Little Tennis Champions” në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Itali.