Shtime, 1 gusht 2025- Në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të bashkatdhetarëve”, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë nga ekzekutivi, ka pritur në oborrin e komunës bashkatdhetarët tanë nga mërgata, të cilët po qëndrojnë në vendlindje gjatë sezonit të verës.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku kryetari Aliu u dëshiroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke ju uruar pushime të këndshme pranë familjeve të tyre.
Kryetari Aliu, gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për rolin e rëndësishëm që mërgata luan në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Bashkatdhetarët janë ura më e fortë lidhëse mes vendlindjes dhe botës. Kontributi i tyre është gurthemel për zhvillimin e komunës sonë”, tha kryetari Aliu.
Nga ana tjetër, edhe bashkatdhetarët falënderuan kryetarin Aliu për pritjen dhe vëmendjen që komuna po u kushton atyre, duke vlerësuar lart punën dhe angazhimin e kryetarit dhe të komunës në realizimin e projekteve të shumta infrastrukturore dhe investimeve që kanë përmirësuar ndjeshëm jetën në komunën e Shtimes.