Shtime, 24 shkurt 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, ka pritur dje në një takim Drejtorin e Investimeve Kapitale në KEDS, Yusuf Çiĝdem, së bashku me ekipin e tij, ku u diskutuan çështje me rëndësi për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në komunë.
Gjatë takimit, kryetari Aliu, paraqiti kërkesat dhe prioritetet kryesore lidhur me investimet energjetike, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e realizimit të projekteve dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e Shtimes.
Në fokus të diskutimeve ishin disa çështje konkrete, ndër to: kyçja e institucioneve të reja publike në rrjetin energjetik, ndërtimi i rrjetit energjetik nëntokësor në rrugën “Tahir Sinani”, si dhe avancimi i projektit “Ambulanta”. Po ashtu, u trajtua edhe nevoja për zhvendosjen e trafos kryesore pranë objektit të Komunës, zëvendësimi i shtyllave të vjetra me të reja, si dhe rritja e kapaciteteve të furnizimit me energji elektrike në fshatrat dhe lagjet që përballen me probleme të vazhdueshme.
“Angazhimi ynë mbetet i palëkundur për të garantuar investime konkrete dhe shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët tanë, në koordinim me të gjithë akterët, sepse qëllimi ynë i vetëm është zgjidhja e problemeve”, tha kryetari Aliu.
Një tjetër çështje me rëndësi ishte kthimi i shërbimeve dhe zyrave të KEDS-it në qytetin e Shtimes, si dhe përforcimi i nënstacionit 35 kV me kapacitete shtesë, në mënyrë që të sigurohet furnizim më i qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë konsumatorët.