Shtime, 7 Korrik 2025-Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, së bashku me Kryesuesin e Kuvendit, Adnan Ademi, kanë vizituar sot nga afër zonat e prekura nga zjarri që shpërtheu në territorin e komunës sonë.
Si pasojë e këtij zjarri, janë dëmtuar dhjetra hektarë të mbjella me grurë, ndërsa flakët kanë prekur edhe hapësira të tjera bujqësore dhe zona malore përreth.
Kryetari Aliu shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara, duke theksuar se kjo situatë është një goditje për bujqit e komunës në një kohë kur presin sezonin e korrjes.
“Është dhimbje e madhe të shohësh mundin e fermerëve duke u shkatërruar në pak minuta. Për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, stafit të komunës dhe vullnetarëve, janë duke u shmangur tragjedi dhe janë duke u mbrojtur zonat e banuara”, tha kryetari Aliu.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos gjatë kësaj periudhe të temperaturave të larta, duke kërkuar që të respektohen udhëzimet e institucioneve dhe të raportohen menjëherë çdo vatër zjarri.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave e Komunës së Shtimes mbetet në gatishmëri të plotë dhe po monitoron situatën në terren.
Në rast zjarri apo situate të dyshimtë, lajmëroni menjëherë:
Zjarrfikësit-193
Policia e Kosovës-192
Emergjencat-112
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave +38344172839