Shtime, 5 dhjetor 2025- Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur sot seancën inauguruese me rastin e fillimit të mandatit të ri.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, prërfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijës fetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, media si dhe mysafirë të shumtë.
Seanca u udhëhoq nga anëtari më i vjetër i Kuvendit Komunal, Haqif Arifi, i cili përgëzoi asambleistët e rinj për mandatin e fituar, duke theksuar përgjegjësinë dhe rëndësinë e rolit të tyre në organin më të lartë përfaqësues të pushtetit lokal.
Në vijim, 21 anëtarët e zgjedhur të Kuvendit dhanë betimin zyrtar, duke zyrtarizuar kështu fillimin e ushtrimit të detyrës së tyre.
Po ashtu, para Kuvendit Komunal u betua edhe Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i cili falënderoi qytetarët për besimin e treguar dhe ritheksoi përkushtimin e tij për të punuar në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit të komunës.
“Sot është një ditë e shënuar, sepse qytetarët e konfirmuan edhe një herë vullnetin e tyre që mirëqeverisja dhe vazhdimi i punëve të mira të jenë prioritet. Jam i lumtur të theksoj se premtimi i dhënë në vitin 2021, pikërisht në këtë sallë, sot është realitet dhe Shtimja është bërë një vend më i zhvilluar, më i mirë për të punuar, një mjedis më cilësor për t’u arsimuar dhe një ambient më i shëndetshëm për të jetuar. Besimi që na u dha në vitin 2021 u kthye në punë dhe rezultate konkrete”, tha kryetari Aliu.
“Para jush dhe para flamujve që na bashkojnë me historinë e lavdishme e të ardhmen e ndritshme, dhashë betimin e shenjtë që më buron nga ndërgjegjja e thellë dhe përgjegjësia jonë historike. Vizioni ynë për transformimin e Shtimes është aspirata jonë që do të vazhdojmë ta realizojmë me patjetër”, tha kryetari Aliu, duke theksuar se besimi për mandatin e dytë është një amanet që do ta mbajë me përkushtim maksimal.
Në fjalimin e tij, kryetari Aliu nënvizoi edhe rëndësinë e kujtesës historike, duke thënë se: “Busulla e çdo veprimi do të jetë kujtesa e sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe veprimtarëve të kauzës kombëtare”, tha kryetari Aliu.
Në veçanti, ai u ndal te brezat e rinj, duke thënë se. “Çdo vendim do të merret me fokus për të ardhmen e brezave që do të vijnë, për të përmirësuar perspektivën dhe për t’i zgjeruar mundësitë për rininë tonë. Ne jemi komunë e vogël, por me njerëz të mëdhenj e zemërbardhë, punëtorë dhe fisnikë, që i kanë dalë zot luftës dhe tani edhe paqes”, tha kryetari Aliu.
Në përmbyllje të fjalimit, ai ritheksoi përkushtimin për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve, duke e vazhduar qeverisjen me transparencë dhe duke e vënë interesin publik mbi gjithçka tjetër.
“Me besimin e qytetarëve do t’i përmbushim të gjitha zotimet tona për Shtimen e zhvilluar dhe rrënjësisht të transformuar”, tha kryetari Aliu.
Seanca inauguruese përfundoi me urimet për mbarësi në mandatin e ri dhe me zotimin e përbashkët për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të Komunës së Shtimes.