Shtime, 11 shkurt 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, i cili ndër vizitat e para në komunat e Kosovës ka zgjedhur pikërisht Komunën e Shtimes.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në komunë, projektet e realizuara dhe ato që janë në proces, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit institucional dhe krijimin e partneriteteve që sjellin përfitime të ndërsjella për qytetarët.
Me këtë rast, kryetari Aliu theksoi rëndësinë e hapjes së komunës ndaj bashkëpunimeve dhe investimeve.
“Bashkë diskutuam për projektet e realizuara, për ato që janë në zhvillim dhe për drejtimin që kemi marrë për ta bërë komunën funksionale dhe tërheqëse për investime.
Shtimja mbetet e hapur për partneritete serioze dhe për miqësi që ndërtohen mbi besim dhe respekt reciprok”, tha kryetari Aliu.
Në përfundim të takimit, kryetari Aliu falënderoi Ambasadorin Çobaj për vizitën dhe bisedën e përzemërt, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.