Shtime, 30 mars 2025- Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Beqa, kryesuesi i Kuvendit të Komunës Adnan Ademi, drejtorë komunalë dhe asamblistë, vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame në Shtime, ku u pritën nga Kryetari i KBI-së, Skender Baftiu.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Aliu përcolli urimet më të përzemërta për krerët e Bashkësisë Islame në Shtime dhe për të gjithë besimtarët muslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si simbol i paqes, solidaritetit dhe mëshirës mes njerëzve.
“Fitër Bajrami është një moment i veçantë që na kujton vlerën e besimit, sakrificës dhe mëshirës. Kjo festë na fton të ndajmë gëzimin me familjen, miqtë dhe ata që kanë më së shumti nevojë, duke përhapur dashuri, solidaritet dhe mirësi. Le të shërbejë kjo ditë si një motivim për të forcuar lidhjet tona njerëzore, për të falur dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Uroj që kjo festë të sjellë shëndet, lumturi dhe harmoni në çdo shtëpi! Urime të përzemërta për të gjithë besimtarët muslimanë”, tha kryetari Aliu.