Shtime, 6 mars 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Sinergjia ndërmjet qeverive vendore/lokale drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE”, të organizuar nga Western Balkans Fund, e cila po mbahet në Tiranë.
Në këtë konferencë, ku ishin të pranishëm kryetarë komunash nga Evropa Juglindore, kryetari Aliu ishte pjesë e panelit “Qeverisja vendore dhe zhvillimi ekonomik”. Ai ndau përvojën dhe angazhimin e Komunës së Shtimes në forcimin e zhvillimit ekonomik lokal dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për investime.
“Gjatë diskutimeve me kolegët pjesëmarrës, u trajtuan sfidat me të cilat ballafaqohen komunat në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Aliu, duke shtuar se zhvillimi ekonomik lokal është një faktor kyç në rrugën drejt integrimit evropian dhe një element i domosdoshëm për të siguruar mirëqenie dhe përparim për qytetarët.
Kryetari Aliu, u shpreh i bindur se përmes bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave të mira, mund të arrihet progres i qëndrueshëm dhe zhvillim më i madh për të gjitha komunat pjesëmarrëse.