Shtime, 23 dhjetor 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku raportoi për punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025.
Në fjalën e tij, kryetari Aliu prezantoi projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet publike. Ai theksoi se buxheti i Komunës për vitin që po lëmë pas ka qenë mbi 11 milionë euro, duke mundësuar realizimin e projekteve me rëndësi për qytetarët.
“Kjo ishte periudhë e mbushur me angazhim të vazhdueshëm dhe me rezultate që flasin vetë si dhe projekte që kanë zgjidhur probleme e lehtësuar jetën e qytetarëve tanë.
Ky ishte gjashtëmujori i fundit i kapitullit të punës në mandatin e parë. Mandati i ri na gjen me përgjegjësi edhe më të madhe, me ritëm më të lartë dhe me shumë punë përpara”, tha kryetari Aliu.
Në fushën e arsimit, kryetari njoftoi për rritjen e subvencioneve, funksionalizimin e katër çerdheve, ku aktualisht përfitojnë rreth 250 fëmijë, si dhe investime të shumta thuajse në të gjitha shkollat e komunës tonë. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ndarë 120 bursa për studentët e Komunës së Shtimes.
Në sektorin e infrastrukturës, kryetari Aliu veçoi projektet e kanalizimeve atmosferike, ndriçimit publik, realizimin e projektit të unazës së brendshme, si dhe ndërtimin dhe rivitalizimin e shumë rrugëve, përfshirë rrugët e reja të Malësisë në fshatrat Topillë, Rancë dhe Devetak.
Një ndër projektet më të rëndësishme, sipas kryetarit, është edhe rrënimi i objektit përpara ndërtesës së komunës, i cili i hap rrugë realizimit të projektit të sheshit të qytetit dhe parkingut nëntokësor.
Kryetari Aliu foli edhe për investimet e mëdha në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke përmendur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e entit special, objektit të administratës komunale dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekte këto me vlera milionshe.
Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, janë realizuar investime në sallat e sporteve, janë subvencionuar botues të rinj, është organizuar festivali tashmë tradicional “FolkFest”, si dhe festivali për fëmijë i mbajtur për herë të parë në Shtime, themelimi i Korit të Qytetit, krahas shumë aktiviteteve të tjera kulturore.
Gjithashtu, kryetari Aliu njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, projekt ky me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Në përmbyllje, kryetari ritheksoi përkushtimin e tij dhe të qeverisjes komunale për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Komunën e Shtimes.