Shtime, 6 mars 2026- Kuvendi i Komunës së Shtimes dje mbajti mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, të udhëhequr nga kryesuesi Rrahman Jakupi. Në fillim të seancës u mbajt një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve të rënë gjatë Epopeja e UÇK-së, në përkujtim të 5, 6 dhe 7 Marsit.
Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e rendit të ditës. Pas diskutimeve të shumta nga anëtarët e kuvendit dhe disa ndryshimeve në renditje, u miratua rendi i ditës.
Gjatë kësaj seance, pika e rendit të ditës për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa u shty për mbledhjen e radhës, me qëllim të shqyrtimit të saj nga ministria përkatëse. Ndërkaq, u miratua formimi i Komitetit për Komunitete, si dhe pika për themelimin e komiteteve të tjera komunale.
Po ashtu, gjatë mbledhjes u themeluan edhe komisionet e aksionarëve për ndërmarrjet publike lokale KRM “Pastërtia”dhe NPL “Ekosistemi”.
Në vijim të seancës, nënkryetari i komunës Adnan Ademi paraqiti informata lidhur me punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2026. Po ashtu, me vota unanime u bë edhe themelimi i këtij këshilli.
Gjatë mbledhjes, drejtori për Financa Besnik Ahmeti prezantoi raportin nëntëmujor buxhetor për periudhën janar-shtator 2025, si dhe raportin njëvjeçar financiar për periudhën janar-dhjetor 2025 të Komunës së Shtimes. Sipas tij, buxheti i aprovuar për vitin që lamë pas ishte afro 11 milionë euro. Pas diskutimeve nga anëtarët e kuvendit, të dy raportet u miratuan me shumicë votash.
Po ashtu, me vota unanime u miratua edhe Raporti i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë e tjera për vitin 2025 dhe për muajin janar 2026.
Në seancë u miratua unanimisht edhe raporti periodik për zbatimin e rekomandimeve të Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe Rregullorja Komunale për Taksa, Tarifa dhe Gjoba për vitin 2026.