Shtime, 17 qershor 2022 – Në sallën e Kuvendit Komunal, është mbajtur sot debati publik për ndërtimin e objektit të ri të Qendres Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Në këtë debat ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, drejtori i Shëndetësisë, Isa Haxhiu, drejtori i Urbanizmit, Grejtalb Emini, anëtarë të kuvendit, mjekë të shquar të komunës së Shtimes, zyrtarë komunalë dhe qytetarë tjerë.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, foli për rëndësinë dhe nevojën e madhe që ka Komuna e Shtimes për ndërtimin i një objekti modern të QKMF-së, që plotëson kushtet për shërbim kualitativ të shërbimeve mjekësore, që si mjek me profesion paraqet një rëndësi dhe përkushtim të veçantë. Gjithashtu, theksoi se ky debat po mbahet me qëllim të dhënies së propozimeve të ndryshme për lokacionin dhe mënyrën e ndërtimit, duke respektuar e dëgjuar mendimin e gjithë akterëve.
Në anën tjetër, drejtori Isa Haxhiu theksoi se shuma e këtij projekti nga Ministria e Shëndetsisë është 315.000€, një pjesë do participojë komuna e Shtimes, si dhe do shihen mundësitë e përfitimeve të mjeteve shtesë nga ndonjë organizatë vendore apo ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së mbulueshmërisë së ndërtimit të një projekti të mirëfilltë shëndetësor.
Ndërsa, drejtori Grejtalb Emini, potencoi që si ekzekutiv po e mbajmë këtë debat publik për arsyen e marrjes së gjitha propozimeve nga qytetarët e profesionistët shëndetësor, ku ky debat do bartet edhe në legjislativ për diskutim dhe do vendoset për një lokacion të përshtatshëm dhe në dakordësi me gjitha palët.
Tutje, profesionistët shëndetësor, anëtarët e kuvendit komunal dhe qytetarët e pranishëm, dhanë disa ide dhe propozime të lokacioneve që do të ishin më adekuate për ndërtimin e QKMF-së.