Shtime, 22 maj 2025- Në sallën e Kuvendit të Komunës së Shtimes u mbajt konsultimi publik për Draft-Planin e Punës së Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve për periudhën 2025-2027. Në këtë konsultim morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm nga institucionet përkatëse.
Nënkryetari i Komunës, Faruk Beqa, hapi takimin duke i njoftuar të pranishmit me përmbajtjen e këtij draft-plani, duke theksuar rëndësinë që ka ky dokument për mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në komunë. Ai falënderoi ekipin punues për angazhimin dhe profesionalizmin gjatë hartimit të planit.
“Ky plan është hartuar me përkushtim të madh, duke u bazuar në nevojat reale të fëmijëve. Synojmë që përmes tij të forcojmë më tej mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve edhe në komunën tonë”, tha nënkryetari Beqa gjatë prezantimit.
Prezantimi i detajuar i draft-planit u bë nga Shpresim Mahmuti, anëtar i ekipit për të drejtat e fëmijëve, i cili elaboroi objektivat, masat dhe aktivitetet e parapara në planin trevjeçar.
Qytetarët pjesëmarrës përgëzuan hartimin e këtij plani dhe shprehën mbështetjen për veprimet që parasheh. Megjithatë, ata shprehën edhe disa sugjerime dhe komente shtesë, të cilat, sipas ekipit të këtij plani, tashmë janë të përfshira në versionin aktual të draftit.