Shtime, 27 qershor 2025- Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit, Adnan Ademi, është mbajtur sot mbledhja e gjashtë me radhë e Kuvendit të Komunës së Shtimes.
Në fillim të mbledhjes, u miratua ekstrakt-procesverbali nga mbledhja e kaluar. Më pas, pika kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i Draft-Kornizës Afatmesme Buxhetore Komunale (KAB) për periudhën 2026-2028, e cila vjen pas përfundimit të diskutimeve publike me qytetarët.
Kryesuesi Ademi informoi anëtarët e kuvendit se dëgjimet buxhetore për KAB-in janë mbajtur sipas planit të paraparë.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Financave, Besnik Ahmeti, prezantoi para anëtarëve të Kuvendit draft-buxhetin e komunës për periudhën 2026-2028, i cili kap vlerën prej mbi 11 milionë e 400 mijë euro, të ndarë sipas kategorive të ndryshme buxhetore.
Pas diskutimeve, sqarimeve dhe paraqitjes së propozimeve nga ana e asambleistëve, Draft-Korniza Afatmesme Buxhetore Komunale për vitet 2026-2028 u votua dhe kaloi në kuvend.